
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet A.K., lidhur me vdekjen e një punëtori të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 20 gusht 2026, rreth orës 14:50, gjatë transportimit dhe zhvendosjes së kabllove 6kV. Punëtori dyshohet se ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe, si pasojë e lëndimeve të rënda, ka humbur jetën.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës, Inspektorati i Punës, KPMM-ja dhe Inspektorati i Brendshëm i KEK-ut, ndërsa kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Personi A.K. është ndaluar nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas nenit 358 të Kodit Penal të Kosovës.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë hetimeve do të shqyrtohen provat dhe rrethanat e rastit, ndërsa më pas mund të vendoset edhe për masat e tjera ndaj të dyshuarit.
Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të rregullave dhe masave të sigurisë në vendin e punës.


Leave a Reply