Inspektorati ndalon punimet në 12 vendpunishte në Kosovë 

Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 12 vendpunishte në Kosovë, pas kontrolleve të zhvilluara për zbatimin e rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Kontrollet janë kryer në Skenderaj, Mitrovicë, Vushtrri, Prizren dhe Ferizaj. Sipas Inspektoratit, gjatë inspektimeve janë evidentuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Për shkak të rrezikut të konstatuar, punimet janë pezulluar deri në eliminimin e parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punëtorët. Rifillimi i aktiviteteve do të lejohet vetëm pasi të verifikohet se janë përmbushur kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë.

Inspektorati ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në zona të tjera të Kosovës, me fokus në parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *