Klimat që nuk punojnë, studentët largohen nga Biblioteka e Gjilanit në prag të afatit të shtatorit

 Në një periudhë kur studentët po përgatiten intensivisht për afatin e provimeve të shtatorit, Biblioteka e Qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan po përballet me një problem që po ndikon drejtpërdrejt në kushtet për studim.

Sipas informatave nga qytetarë dhe studentë, klimat në hapësirat e bibliotekës nuk po funksionojnë siç duhet, duke bërë që ambientet të mos jenë të përshtatshme për qëndrim dhe mësim. Për këtë arsye, numri i studentëve që po e shfrytëzojnë bibliotekën është shumë i ulët, pikërisht në ditët kur kërkesa për hapësira studimi pritet të jetë më e madhe.

Situata është veçanërisht shqetësuese për studentët që nuk kanë kushte të përshtatshme për të studiuar në shtëpi dhe që mbështeten në bibliotekën e qytetit për përgatitjen e provimeve. Biblioteka ka edhe marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Publik “Kadri Zeka”, ku parashihet edhe përdorimi i hapësirave të leximit dhe studimit nga studentët.

Problemet me sistemin e klimës/ngrohjes në këtë bibliotekë nuk janë të reja. Në dhjetor të vitit 2024 ishte raportuar për prishje të sistemit të ngrohjes, ndërsa atëherë ishte thënë se problemi po ndikonte edhe te studentët dhe nxënësit që përdornin ambientet e bibliotekës.

Në prag të afatit të shtatorit, studentët presin që problemi të zgjidhet sa më shpejt, në mënyrë që biblioteka të rikthehet në funksion të plotë dhe të ofrojë kushte normale për studim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *