Nis aksioni i madh në veri të Kosovës, nisin të rrënohen shtëpitë pranë Ujmanit
Një aksion ka nisur në orët e para të mëngjesit të së premtes në fshatin Rezallë të Zubin-Potokut, ku autoritetet kanë nisur rrënimin e disa objekteve të ndërtuara pa leje, përfshirë shtëpi pushimi. Policia e Kosovës po asiston ekipet e Ministrisë së Mjedisit gjatë aksionit.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se njësitë policore janë duke asistuar inspektorët e Ministrisë. Ende nuk është bërë e ditur numri i saktë i objekteve që do të rrënohen.
Çështja është veçanërisht e ndjeshme për shkak të debatit mbi pronësinë e tokës pranë Liqenit të Ujmanit. Autoritetet kosovare i konsiderojnë objektet të paligjshme, ndërsa disa pronarë pretendojnë se kanë dokumente të lëshuara nga sistemi serb.
Aksioni i sotëm vjen pas rrënimeve të mëparshme në këtë zonë. Sipas Ministrisë, në aksionet e mëparshme pranë Ujmanit janë rrënuar 17 objekte.



Leave a Reply