Një grua, e lindur në vitin 1997, u gjet pa shenja jete të mërkurën në mëngjes në rrugën “Dositej Obradoviq” në Leposaviq. Sipas familjarëve, viktima ishte gjetur rreth orës 07:00, ndërsa Policia e Kosovës e ka pranuar informacionin për rastin rreth orës 10:50 përmes rrugëve operative.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, në mënyrë që të përcaktohet shkaku i vdekjes. Rasti është klasifikuar si “vdekje e dyshuar” dhe është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria.
Në kuadër të hetimeve, ka rezultuar se mjeku kujdestar i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Leposaviq, i cili kishte dalë në vendngjarje dhe kishte konstatuar vdekjen e viktimës, nuk e kishte njoftuar Policinë për rastin. Ai është arrestuar dhe intervistuar si i dyshuar për veprën penale “Moslajmërim i veprës penale”, në prani të avokatit mbrojtës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ai është liruar më pas në procedurë të rregullt.
Autoritetet kanë pranuar gjithashtu informacione se viktima kishte pasur probleme psikike dhe se përdorte medikamente kundër depresionit, por shkaku zyrtar i vdekjes pritet të konfirmohet pas obduksionit.



Leave a Reply