Fadil Demaku i PDK-së sulmon Kurtin: “Je mashtrues, tradhtar…”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës.

Demaku ka drejtuar kritika të forta ndaj Kurtit, duke e akuzuar atë për mënyrën se si Vetëvendosje po vepron gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit.

Reagimi i deputetit të PDK-së vjen pas seancës së 11 shtatorit, ku procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit dështoi të përmbyllej. Në këtë seancë, deputeti i VV-së, Ardian Gola, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit, ndërsa kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk mori mbështetjen e deputetëve të Vetëvendosjes. 

Pas dështimit të votimit për Çitakun, deputetët e PDK-së e lëshuan sallën plenare, ndërsa kryesuesja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ndërpreu seancën. PDK-ja ka deklaruar se do ta adresojë çështjen edhe në Gjykatën Kushtetuese. 

Në këtë atmosferë të tensionuar politike, Fadil Demaku iu drejtua drejtpërdrejt Albin Kurtit me akuza të rënda, duke e quajtur atë “mashtrues” dhe “tradhtar”.

Deklarata e tij vjen në një moment kur partitë politike vazhdojnë të jenë të përplasura rreth mënyrës së zgjedhjes së nënkryetarëve dhe përfundimit të konstituimit të Kuvendit.

Ndërkohë, Albin Kurti ka bërë thirrje që PDK-ja të rikthehet në seancën e ardhshme dhe ka theksuar nevojën për një marrëveshje politike mes partive për përfundimin e procesit të konstituimit. 

Përplasjet e fundit kanë rritur edhe më tej tensionet mes pozitës dhe opozitës, ndërsa mbetet e paqartë nëse partitë do të arrijnë një marrëveshje për të përmbyllur procesin institucional pa shkuar drejt zgjedhjeve të reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *