Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar pas përfundimit të “Marshit për Liri”, i cili u mbajt të shtunën në Prishtinë në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Në reagimin e saj, Qeveria ka shprehur mirënjohje për organizatorët dhe mijëra qytetarët që morën pjesë në aktivitet, duke vlerësuar sjelljen paqësore, paraqitjen dinjitoze dhe qëndrimet e shprehura gjatë marshit.
“Marshi për Liri” u organizua me kërkesën për lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në paraburgim në kuadër të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Qeveria ka vlerësuar veçanërisht bashkëpunimin e organizatorëve dhe pjesëmarrësve me organet e rendit dhe sigurisë. Sipas ekzekutivit, ky bashkëpunim ka ndihmuar që aktiviteti të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt.
Marshi u mbajt vetëm pak ditë para shpalljes së aktgjykimit në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së. Vendimi pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë.
Reagimi i Qeverisë vjen pas një dite ku qendra e Prishtinës u mbush me mijëra qytetarë, ndërsa institucionet e sigurisë ndërmorën masa të veçanta për mbarëvajtjen e tubimit dhe qarkullimit në kryeqytet.



Leave a Reply