“Liria Ka Emër” mbushi Prishtinën, mijëra qytetarë në “Marshin për Liri”: Çfarë mesazhi u përcoll para verdiktit të Hagës?

Sheshi “Skënderbeu” dhe hapësirat përreth tij në Prishtinë u mbushën sot me qytetarë që morën pjesë në “Marshin për Liri”, të organizuar nga platforma qytetare “Liria Ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Marshi u zhvillua vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit përfundimtar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Gjykata Speciale ka caktuar 16 shtatorin si datën kur pritet të shpallet vendimi. 

Në Prishtinë u panë flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe UÇK-së, ndërsa pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe mesazhe në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Sheshi “Skënderbeu”, por edhe sheshi “Nëna Terezë” dhe rrugët që lidhen me qendrën e kryeqytetit, u mbushën me qytetarë. 

Në mesin e pjesëmarrësve kishte veteranë të luftës, familjarë të të akuzuarve, familje të dëshmorëve, përfaqësues politikë dhe qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës. Gjatë marshit u mbajtën edhe fjalime dhe performanca artistike. 

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se veteranët dhe familjet e tyre kërkojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm. Ndërkohë, nga skena folën edhe përfaqësues politikë, përfshirë Bedri Hamzën dhe Ardian Gjinin. 

Platforma “Liria Ka Emër”, pas përfundimit të marshit, deklaroi se në të morën pjesë rreth 100 mijë qytetarë, duke e cilësuar organizimin si një manifestim të madh dhe paqësor në mbështetje të lirisë, drejtësisë dhe asaj që e quan të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës. 

Marshi përfundoi me këngë patriotike, ndërsa pjesëmarrësit vazhduan të qëndronin në qendër të Prishtinës. 

Tash vëmendja është kthyer drejt 16 shtatorit, kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi përfundimtar ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *