Policia e Kosovës sqaron masat e sigurisë para 16 shtatorit 

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve se vendi do të “blindohet” në prag të 16 shtatorit, kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Policia ka sqaruar se hartimi i planeve operative dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në raste kur priten tubime apo pjesëmarrje e madhe e qytetarëve janë procedura të rregullta policore dhe nuk nënkuptojnë se në Kosovë ekziston ndonjë situatë e jashtëzakonshme.

Sipas Policisë, masat synojnë menaxhimin e sigurt të tubimeve, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe menaxhimin e qarkullimit rrugor. Masa të ngjashme, sipas saj, janë aplikuar edhe gjatë marshit solidarizues të 12 shtatorit.

Në vlerësimet e saj, Policia merr parasysh edhe mundësinë që individë ose persona të caktuar, përfshirë edhe nga jashtë vendit, të tentojnë të shfrytëzojnë grumbullimet e mëdha për provokime, incidente apo veprime destabilizuese.

Megjithatë, Policia thekson se bëhet fjalë për masa parandaluese dhe standarde, të cilat përshtaten në varësi të numrit të pritshëm të pjesëmarrësve dhe vlerësimit të situatës.

Në fund, institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që t’u referohen vetëm informacioneve zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara që mund të shkaktojnë shqetësim të panevojshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *