Në prag të ditës së shumëpritur të 16 shtatorit, kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, Abelard Tahiri ka ndarë një moment nga rrugëtimi i tij drejt qytetit ku prej vitesh po zhvillohet procesi gjyqësor.
Në postimin e publikuar në rrjetet sociale, Tahiri shfaqet së bashku me Endrit Thaçin, djalin e ish-presidentit Hashim Thaçi, teksa janë nisur drejt Hagës. Pamja vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe për shumë qytetarë në Kosovë.
Udhëtimi drejt Hagës zhvillohet vetëm një ditë para datës 16 shtator, kur pritet të shpallet vendimi në rastin kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Endrit Thaçi ditët e fundit ka përcjellë disa mesazhe publike në mbështetje të babait të tij. Pas “Marshit për Liri” në Prishtinë, ai kishte shkruar: “Faleminderit Kosovë! Të presim në Kosovë, bab, bashkë me shokët. UÇK”.
Nisja e tyre drejt Hagës vjen kështu në një nga momentet më të rëndësishme të këtij procesi, ndërsa vëmendja e opinionit publik në Kosovë është përqendruar te ajo që do të ndodhë më 16 shtator.



Leave a Reply