,

Çfarë ndodhi në Hagë? Gjykata shpall vendimin për katër ish-krerët e UÇK-së, këto janë dënimet

Pas gati gjashtë vitesh nga arrestimi dhe pas një procesi gjyqësor që nisi në vitin 2023, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimin në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Trupi gjykues i shpalli të katër të akuzuarit përgjegjës penalisht për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave. Sipas vendimit zyrtar të gjykatës, ata nuk u shpallën fajtorë për krime kundër njerëzimit, pasi Prokuroria nuk arriti të dëshmojë përtej dyshimit të arsyeshëm se ka ekzistuar një sulm i përhapur ose sistematik ndaj popullsisë civile. 

Dënimet e shpallura nga trupi gjykues janë:

  • Hashim Thaçi – 25 vjet burgim
  • Kadri Veseli – 18 vjet burgim
  • Rexhep Selimi – 13 vjet burgim
  • Jakup Krasniqi – 25 vjet burgim

Në dënime llogaritet edhe koha e kaluar tashmë në paraburgim. 

Gjykata deklaroi se çështja ishte e përqendruar në përgjegjësinë penale për krimet e përfshira në aktakuzë dhe jo në vlerësimin e legjitimitetit të luftës së UÇK-së apo qëllimit për pavarësinë e Kosovës. Kryesuesi i trupit gjykues theksoi gjithashtu se procesi nuk trajtonte krimet e kryera nga forcat serbe dhe paramilitare ndaj shqiptarëve të Kosovës, por vetëm akuzat konkrete që ishin objekt i këtij procesi gjyqësor. 

Procesi ndaj katër ish-krerëve kishte nisur më 3 prill 2023. Gjatë gjykimit, trupi gjykues mori prova nga 273 dëshmitarë dhe pranoi mijëra prova materiale. Gjykata tha se transkripti i procedurave arriti në më shumë se 29 mijë faqe. 

Vendimi i sotëm është aktgjykim i shkallës së parë, ndërsa çështja mund të vazhdojë përmes procedurave të apelit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *