Ndërsa në Hagë nisi shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, vëmendje e madhe është përqendruar edhe te qytetarët shqiptarë të mbledhur pranë selisë së Dhomave të Specializuara.
Platforma “Liria ka Emër” kishte paralajmëruar prej ditësh një tubim në Hagë së bashku me pjesëtarë të mërgatës shqiptare. Sipas planifikimit të bërë nga organizatorët, grumbullimi do të niste mbrëmjen e 15 shtatorit dhe do të vazhdonte deri në orën 10:00 të 16 shtatorit, kur ishte planifikuar shpallja e aktgjykimit.
Gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, qindra shqiptarë u raportuan të mbledhur pranë objektit të Speciales në Hagë. Sipas raportimeve nga vendi, policia holandeze u kërkoi disa prej protestuesve të largoheshin nga hyrja e gjykatës dhe të zhvendoseshin në zonën e përcaktuar për protestë. Për një moment pati përplasje verbale mes disa protestuesve dhe policisë, ndërsa Hysni Gucati u bëri thirrje të pranishmëve të ruanin qetësinë.
Ndërkohë, edhe Prishtina e priti mëngjesin e vendimit në një atmosferë të veçantë. Qytetarë qëndruan gjatë natës në sheshin “Skënderbeu”, ku ishte vendosur ekran për të ndjekur drejtpërdrejt seancën nga Haga. Raportohet se njerëzit qëndruan deri në orët e para të mëngjesit, me flamuj, këngë dhe pranë “Flakës së Lirisë”.
Edhe vetë platforma “Liria ka Emër” publikoi sot një pankartë me mbishkrimin “Kur preket UÇK-ja, ngrihemi të gjithë!”, duke e publikuar atë në orët para shpalljes së aktgjykimit.
Pas shpalljes së vendimit, fokusi tashmë është te reagimet e familjarëve, qytetarëve, organizatave dhe institucioneve në Kosovë dhe te zhvillimet që do të pasojnë pas aktgjykimit.



Leave a Reply