,

Kurti takohet me Plenkoviqin: “Vendimi i Dhomave të Specializuara është i pasaktë, i padrejtë dhe i rëndë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur ditën në Nju Jork me një takim me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në kuadër të aktiviteteve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, por edhe për mundësinë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes Kosovës dhe Kroacisë.

Në postimin e tij, Kurti ka përmendur edhe zhvillimet ekonomike në Kosovë, duke deklaruar se ekonomia shënoi rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas tij, ekonomia e vendit pritet të tejkalojë vlerën prej 12 miliardë eurosh gjatë këtij viti.

Një pjesë e rëndësishme e deklarimit të Kurtit lidhej edhe me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Ai tha se gjatë takimit ka theksuar se aktgjykimi është, sipas tij, “i pasaktë, i padrejtë dhe i rëndë”.

Kurti ka folur gjithashtu për arkivat e Serbisë dhe fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Ai ka kërkuar hapjen e arkivave serbe, duke e cilësuar këtë si të rëndësishme për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe vendosjen e drejtësisë.

Në fund, kryeministri ka vlerësuar mbështetjen e Kroacisë për Kosovën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik. Ai ka theksuar edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut dhe bashkëpunimit me vendet e rajonit për çështjet e sigurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *