Mbi 31 mijë më pak fëmijë përfituan shtesa mujore gjatë muajve të fundit në Kosovë

Numri i fëmijëve që përfitojnë shtesa mujore nga shteti i Kosovës ka shënuar një rënie të ndjeshme gjatë muajve të fundit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në gusht 2026 shtesat për fëmijët e moshës 0–16 vjeç i kanë marrë 374 mijë e 382 fëmijë, ndërsa në prill kjo shifër ishte 405 mijë e 935. Kjo paraqet një rënie prej 31 mijë e 553 përfituesish

Rënia ka nisur që nga prilli dhe ka vazhduar në muajt pasues. Në qershor numri i përfituesve ishte rreth 401 mijë, ndërsa në korrik ra nën 392 mijë

Eksperti i çështjeve sociale, Vebi Mujku, ka ngritur shqetësime lidhur me ndryshimin e numrit të përfituesve dhe ka bërë një përllogaritje sipas së cilës diferenca mund të përkthehet në rreth 13.5 milionë euro në vit. Megjithatë, kjo është përllogaritje e tij dhe jo konstatim zyrtar se ka pasur abuzim. 

Ndërkohë, Ministria përkatëse kishte njoftuar më herët se po kryheshin verifikime të përfituesve, veçanërisht për të kontrolluar nëse fëmijët që jetojnë jashtë Kosovës vazhdojnë të jenë në listat e përfituesve. 

Aktualisht, shtesa mujore është 30 euro për fëmijë për familjet me një ose dy fëmijë, ndërsa për familjet me tre ose më shumë fëmijë është 45 euro për fëmijë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *