Avokatja Rudina Jasini, pjesë e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit, ka kritikuar mënyrën e krijimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar këtë institucion si “sui generis” dhe të paprecedent në drejtësinë ndërkombëtare penale.
Duke komentuar aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Jasini tha se fillimisht duhet të analizohet mënyra se si është krijuar Specialja dhe nëse ajo ka përfaqësuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës apo kërkesën për drejtësi të viktimave.
“Së pari, ky institucion a përfaqëson vërtetë vullnetin e popullit të Kosovës. Së dyti, ngritja e këtij institucioni, a ishte një përgjigje të kërkesës për drejtësi të viktimave në Kosovë. Mendoj që në të dyja rastet përgjigjja është jo”, deklaroi Jasini në “Debat Plus”.
Ajo kritikoi edhe kuadrin ligjor mbi të cilin funksionon Specialja, duke thënë se mënyra e interpretimit të ligjit ka krijuar një hapësirë të gjerë për trupat gjykues.
Sipas Jasinit, në raste të ndryshme janë përdorur referenca të ndryshme ligjore, përfshirë ligjin e Kosovës dhe të drejtën zakonore penale procedurale.
“Herë ligjin e Kosovës, ligjin që ka qenë në fuqi në atë kohë në Kosovë. Herë të drejtën zakonore penale procedurale. Dhe kjo ka sjellë një hapësirë shumë të gjerë trupit gjykues për të interpretuar”, tha ajo.
Jasini e përshkroi Specialen si një “gjykatë sui generis”, duke argumentuar se ajo ka një pozitë të veçantë krahasuar me gjykatat vendore dhe tribunalet ndërkombëtare.
“Gjykata Speciale e Kosovës, ky institucion sui generis, është i paprecedent në gjithë spektrin e drejtësisë ndërkombëtare penale”, deklaroi ajo.
Sipas vlerësimit të saj, mënyra e funksionimit dhe interpretimit të kuadrit ligjor e bën Specialen një “precedent negativ për të gjithë të drejtën ndërkombëtare penale”.
Jasini foli gjithashtu për aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Sipas saj, të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa janë shpallur fajtorë për katër krime lufte.
Për këto vepra, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.



Leave a Reply