Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të hënën, më 28 shtator, në orën 11:00, në seancën e parë plenare të paralajmëruar nga Kryesia e re e Kuvendit. Në rend dite janë përfshirë disa çështje, përfshirë një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës të datës 16 shtator 2026.
Deputetët do të shqyrtojnë fillimisht procesverbalet nga seancat e mëparshme, ndërsa më pas pritet të bëhet betimi i deputetëve të rinj. Një nga pikat kryesore të seancës është miratimi i deklaratës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, ndërsa në rend dite është edhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e Grupit Parlamentar të PDK-së.
Në fund të seancës pritet të bëhet edhe formimi i komisioneve parlamentare. Kryesia ka bërë tashmë ndarjen e 16 komisioneve ndërmjet grupeve parlamentare, sipas formulës së përcaktuar. Sipas Kuvendit, LVV do të udhëheqë tetë prej tyre.
Seanca e 28 shtatorit vjen në një periudhë me zhvillime të rëndësishme institucionale, ndërsa miratimi i deklaratës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara pritet të jetë një prej pikave që do të marrë vëmendjen më të madhe gjatë mbledhjes.



Leave a Reply