Disa zona të Kosovës do të mbesin pa energji elektrike gjatë ditës së sotme, 26 shtator, për shkak të punimeve të planifikuara në rrjet, ka njoftuar Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS). Ndërprerjet lidhen me punime investive, ndërhyrje nga palë të treta dhe punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit.
Në Prishtinë, një pjesë e rrugëve “Mic Sokoli”, “Drenica”, “Fahri Fazliu” dhe “Bedri Gjini” do të kenë ndërprerje nga ora 08:30 deri në 18:00, për shkak të ndërrimit të pajisjeve në një trafostacion. Ndërprerje është planifikuar edhe në zonën e Veternikut dhe në një pjesë të rrugës “Muharrem Fejza”, nga ora 12:00 deri në 16:00, për realizimin e punimeve sipas projektit elektro-energjetik.
Punime janë planifikuar edhe në Mitrovicë dhe Skenderaj. Në Shipol dhe disa rrugë përreth, ndërprerja është paraparë nga ora 10:30 deri në 15:15. Në disa fshatra të Skenderajt, përfshirë Likovcin, Rezallën dhe Tushilën, ndërprerjet janë planifikuar në intervale të ndryshme gjatë ditës.
KEDS u ka bërë thirrje konsumatorëve në zonat e prekura që të kenë parasysh oraret e ndërprerjeve gjatë kohës së punimeve. Kompania ka njoftuar se punimet po kryhen për mirëmbajtjen, sigurinë dhe përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.



Leave a Reply