Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur për deklaratën që pritet të dalë nga Kuvendi i Kosovës lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Tahiri ka theksuar se deklarata nuk do të ketë efekt juridik, por do të ketë efekt politik, duke argumentuar se ajo do ta obligonte Qeverinë të veprojë në raport me situatën e krijuar pas aktgjykimit. Sipas tij, teksti duhet të jetë i dakorduar nga të gjitha grupet parlamentare.
“Kur nuk ka qëndrim institucional, shtetëror, atëherë i lë hapësirë për spekulim dhe konspiracion”, ka deklaruar Tahiri, duke shtuar se deri tani ka pasur deklarime në rrjete sociale dhe video, por jo një qëndrim të shkruar dhe të votuar nga Kuvendi.
Ai ka kërkuar gjithashtu që Qeveria sa më shpejt t’ia kthejë Kuvendit projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Sipas Tahirit, kjo çështje duhet të trajtohet me urgjencë dhe të mos pritet afati prej 30 ditësh.
Kryesia e Kuvendit tashmë është dakorduar që të hënën të trajtohet deklarata e përbashkët lidhur me vendimin e Speciales.



Leave a Reply