Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit “Flips Ketchup” të prodhuesit Pestova/Vipa, pasi në produkt janë zbuluar gjurmë qumështi që nuk ishin deklaruar në etiketë.
Sipas njoftimit të AUV-it, rasti u evidentua pas një kontrolli zyrtar në Slloveni, ku analizat laboratorike konstatuan praninë e gjurmëve të qumështit. Për shkak se qumështi nuk ishte i deklaruar si alergjen, produkti është vlerësuar si i pasigurt për konsumatorët që kanë ndjeshmëri apo alergji ndaj këtij alergjeni.
Bëhet fjalë për “Flips Ketchup”, Lot FK 04/26, me një nga datat e skadimit 11 shkurt 2027. AUV ka bërë të ditur se në kuadër të gjurmueshmërisë është kontrolluar edhe operatori Pestova SHPK, ku produkti është gjetur në stok. Sipas të dhënave të publikuara nga AUV, rreth 20,406 paketime të këtij loti ishin prodhuar dhe ishin eksportuar në disa vende.
AUV ka urdhëruar tërheqjen e produktit nga tregu dhe ndalimin e shitjes apo distribuimit të tij, ndërsa është vendosur edhe masë kufizuese për prodhimin dhe vendosjen në treg të produktit të ri deri në përfundimin e analizave laboratorike dhe verifikimin e deklarimit të saktë të alergjenëve.
Sipas autoriteteve, paralajmërimi lidhet veçanërisht me personat alergjikë ndaj proteinave të qumështit. Rasti fillimisht u bë publik pas tërheqjes së produktit në Slloveni, ku autoritetet kishin identifikuar dy lote të “Vipa Flips Ketchup” me praninë e proteinave të qumështit të padeklaruara.



Leave a Reply