,

Tre serbë deklarohen të pafajshëm për barrikadat e vitit 2022 në veri të Kosovës

Tre persona të akuzuar për përfshirje në organizimin e barrikadave në veri të Kosovës gjatë vitit 2022 janë deklaruar të pafajshëm para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Dušan Maksimović, Nemanja Jolović dhe Srđan Vuçinić u paraqitën të mërkurën para gjykatës, ku mohuan akuzat e ngritura ndaj tyre lidhur me barrikadat e vendosura në veri në dhjetor të vitit 2022.

Prokuroria i akuzon ata për veprime që, sipas aktakuzës, kishin për qëllim pengimin e autoriteteve dhe policisë në ushtrimin e detyrave të tyre dhe cenimin e rendit kushtetues të Kosovës.

Sipas raportimeve nga seanca, Maksimović ndodhet në paraburgim, ndërsa Jolović dhe Vuçinić mbrohen në liri. Në të njëjtin rast është përfshirë edhe Nenad Orlović, i cili nuk është i qasshëm për drejtësinë vendore dhe ndaj të cilit procedura është ndarë.

Rasti lidhet me barrikadat e dhjetorit 2022, kur në disa pjesë të veriut të Kosovës u bllokuan rrugë kryesore pas arrestimit të një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Në një procedurë të ndarë, dy të akuzuar të tjerë në këtë rast, Miloš Radosavljević dhe Dušan Drobac, më herët kanë pranuar fajësinë dhe kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë.

Me deklarimin e pafajësisë nga tre të akuzuarit, procedura gjyqësore ndaj tyre do të vazhdojë në fazat e tjera të përcaktuara nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *