Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Kosovën të enjten, më 1 tetor, në kuadër të vizitës së saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas agjendës së publikuar për vizitën, von der Leyen në Prishtinë pritet të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Vizita në Kosovë është pjesë e një turi rajonal që presidentja e Komisionit Evropian ka nisur më 30 shtator në Tiranë. Pas Kosovës, ajo pritet të vazhdojë vizitën në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Turneu vjen në një periudhë të rëndësishme për Kosovën, e cila është përballë një afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, ndërsa marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe procesi i integrimit evropian mbeten ndër çështjet kryesore në agjendën politike të vendit.
Në Prishtinë, takimet pritet të fokusohen në zhvillimet politike dhe institucionale në Kosovë, si dhe në marrëdhëniet e vendit me Bashkimin Evropian.
Vizita e von der Leyen vjen gjithashtu në një moment kur Kosova po përballet me një situatë të ndërlikuar politike, pasi partitë parlamentare duhet të gjejnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit deri më 6 tetor.



Leave a Reply