Nëntë të dyshuar për krime lufte dërgohen në paraburgim për një muaj

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim për nëntë persona të arrestuar nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile.

Nëntë personat u arrestuan në Zubin-Potok në kuadër të operacionit të koduar “Dosja 23”, i zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale. Rasti lidhet me hetimet për zhdukjen e të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve” të Mitrovicës.

Sipas të dhënave të bëra publike nga gjykata, masa e paraburgimit është arsyetuar me rrezikun që të dyshuarit, nëse lihen të lirë, mund të pengojnë zhvillimin e procedurës penale, t’i shmangen ndjekjes ose të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Hetimet lidhen me gjetjen e mbetjeve mortore të 23 personave, të cilët dyshohet se i përkasin “Grupit të Intelektualëve”. Mbetjet janë gjetur gjatë gërmimeve në disa lokacione në Zubin-Potok, ndërsa tri prej tyre deri tani janë identifikuar.

Gjatë bastisjeve në disa lokacione, autoritetet kanë sekuestruar armë, municion, telefona, dokumente dhe rreth 23 mijë euro para të gatshme.

Hetimet ndaj të dyshuarve pritet të vazhdojnë ndërsa Prokuroria Speciale po punon për të sqaruar rrethanat e rastit dhe përgjegjësinë eventuale penale të personave të dyshuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *