Videoklipi i reperit kosovar Don Xhoni për këngën “Sexy Mama” ka shkaktuar reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut, pasi një pjesë e tij është xhiruar brenda monumentit “Makedonium” në Krushevë, një objekt me rëndësi të madhe historike dhe memoriale.
Reagimet janë fokusuar kryesisht te mënyra se si është lejuar përdorimi i monumentit për xhirimin e një videoklipi. Sipas raportimeve, hapësira ishte dhënë me qira për rreth 500 euro.
Çështja ka marrë edhe dimension institucional. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka thënë se do t’i kërkojë ministrit të Kulturës dhe Turizmit shkarkimin e drejtorit dhe Bordit Drejtues të institucionit që lejoi xhirimin.
Pas reagimeve, drejtori i Muzeut Historik në Krushevë, Miha Oxhaklieski, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Ai ka deklaruar se nuk është shkelur ligji apo rregullorja, por ka marrë përgjegjësi morale dhe etike për vendimin.
Ndërkohë, Don Xhoni ka reaguar publikisht, duke sqaruar se as ai dhe as ekipi i tij nuk kanë pasur qëllim të provokojnë, ofendojnë apo ulin vlerën e monumentit. Sipas tij, lokacioni ishte zgjedhur nga produksioni si pjesë e skenarit dhe e projektit artistik.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, ka thënë se ligjërisht ekziston mundësia për dhënien me qira të objektit, por drejtuesit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të dinë se çfarë përmbajtjeje do të realizohet në këto hapësira.



Leave a Reply