Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të mblidhet sot për të nisur procedurën dhe për të votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kërkesa vjen pasi Qeveria e Kosovës e ka përcjellë në Kuvend përgjigjen lidhur me nismën për ndryshimin e ligjit. Përgjigjja përfshin opinionin ligjor për përputhshmërinë me acquis të BE-së, vlerësimin e ndikimit buxhetor dhe opinionin ligjor për përmbajtjen e projektligjit.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kërkuar që procedura të nisë menjëherë dhe që projektligji të trajtohet në dy lexime. Ajo ka theksuar se, për shkak të afatit prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve, shqyrtimi duhet të nisë gjatë seancës së sotme.
“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Ajo ka kërkuar gjithashtu që Kosova të ketë një strategji të koordinuar juridike dhe diplomatike, me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, për procesin e apelimit të aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në të njëjtën ditë, edhe deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, ka kërkuar që Kuvendi të thërrasë menjëherë seancën për votimin e ndryshimeve, duke iu referuar edhe protestave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit.



Leave a Reply