Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po kërkon ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke kërkuar ndërhyrje ligjore që, sipas tyre, do të garantonte që çështjet e përfunduara me vendim të formës së prerë të mos mund të rihapen. Kërkesat për ndryshimin e ligjit janë bërë pjesë e presionit publik pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Një nga kërkesat e veteranëve lidhet edhe me mundësinë që, pas përfundimit të procedurave në Gjykatën Speciale, vendimet të mund të shqyrtohen nga institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës më 2 tetor ka njoftuar Kuvendin se, pas shqyrtimit të nismës për ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-053, nuk ka konstatuar pengesa ligjore për procedimin e saj.
Parimi që një person të mos gjykohet dy herë për të njëjtën vepër është i paraparë edhe në Kushtetutën e Kosovës, ndërsa Kodi i Procedurës Penale përcakton parimin ne bis in idem, me përjashtime të caktuara për mjetet e jashtëzakonshme juridike.
OVL-UÇK ka paralajmëruar se do të vazhdojë presionin për ndryshimet ligjore, ndërsa në Prishtinë protestat me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Specialen kanë vazhduar edhe më 2 tetor.



Leave a Reply