Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër, më 5 tetor, në orën 09:00, në një seancë të jashtëzakonshme ku një prej çështjeve kryesore pritet të jetë ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Seanca vjen në një moment të ndjeshëm politik, pasi partitë janë nën presion për të arritur një marrëveshje lidhur me ndryshimet në Ligjin për Specialen.
Projektligji pritet të shqyrtohet në lexim të parë. Sipas raportimeve, në rendin e ditës janë përfshirë gjithsej 22 pika.
Çështja është bërë pjesë e drejtpërdrejtë e negociatave politike mes liderëve të partive, ndërsa PDK-ja ka kërkuar që ndryshimet në Ligjin për Specialen të miratohen para se të japë mbështetjen e saj për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Seanca e së hënës pritet të jetë një nga zhvillimet kryesore politike të ditëve të ardhshme, veçanërisht për shkak të afatit të 6 tetorit për zgjedhjen e presidentit.



Leave a Reply