Feride Rushiti ka lindur më në Gjilan, Kosovë, më 12 shtator 1970. Ajo është mjeke dhe aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut. Studimet e Mjekësisë i përfundoi në Tiranë, ku u specializua në gastroenterologji.
Gjatë luftës së Kosovës, në vitet 1998–1999, Rushiti shërbeu si mjeke në kampet e refugjatëve në Shqipëri, ku u përball drejtpërdrejt me pasojat e dhunës, torturës dhe traumës së luftës. Kjo përvojë ndikoi në orientimin e saj drejt mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe rehabilitimit të viktimave.
Në vitin 1999, ajo themeloi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT/KRCT), organizatë që ofron mbështetje mjekësore, psikologjike dhe ligjore për viktimat dhe të mbijetuarit e luftës. Rushiti vazhdon të jetë drejtoreshë ekzekutive e QKRMT-së.
Puna e saj ka luajtur rol në avancimin e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Ajo ka qenë pjesë e përpjekjeve që kontribuuan në ndryshimet ligjore të vitit 2014, kur të mbijetuarit e dhunës seksuale u njohën si viktima civile të luftës, ndërsa nga viti 2017 nisën të zbatohen mekanizmat shtetërorë të përfitimeve.
Për angazhimin e saj, Rushiti është nderuar me International Women of Courage Award nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2018. Në vitin 2025, ajo u nominua edhe për Çmimin Nobel për Paqe.
Në vitin 2026, Feride Rushiti u bë gjithashtu kandidate për presidente të Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik në vend.



Leave a Reply