Monika Lubonja reagon pas publikimeve: “Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje”

Monika Lubonja ka reaguar publikisht lidhur me situatën e fundit që, sipas saj, ka cenuar rëndë privatësinë dhe dinjitetin e saj.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Lubonja thotë se nuk ka dhënë pëlqimin që të filmohej apo regjistrohej dhe se nuk ka autorizuar publikimin apo shpërndarjen e materialeve private.

“Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje”, ka shkruar ajo.

Lubonja u ka bërë thirrje mediave që të respektojnë privatësinë e saj dhe të mos publikojnë apo spekulojnë me materiale private, ndërsa opinionit publik i ka kërkuar që të mos e kthejë situatën e saj personale në objekt argëtimi apo gjykimi.

Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se i është drejtuar drejtësisë dhe se synon ta ndjekë çështjen përmes rrugës ligjore.

“Do e ndjek ligjërisht dhe jam e sigurt që e vërteta do flasë”, ka deklaruar Lubonja.

Në fund të reagimit, ajo ka thënë se shpreson që kjo situatë të mos e mbushë me urrejtje dhe se pret që drejtësia ta bëjë punën e saj.