Rasti i Laurent Krasniqit: Gjykata refuzon shtyrjen e seancës, i akuzuari nuk deklarohet për fajësinë

Shemsi Llugaliu, i akuzuar për aksidentin e komunikacionit ku humbi jetën 29-vjeçari Laurent Krasniqi, ka thënë se nuk është në gjendje të deklarohet lidhur me fajësinë. Kjo ndodhi në seancën fillestare të mbajtur sot, pasi prokurori Malart Kuçi lexoi aktakuzën para gjykatës.

Në fillim të seancës, avokati mbrojtës Naim Rudari kërkoi shtyrjen e saj, me arsyetimin se mbrojtja kishte angazhuar një ekspert tjetër për përgatitjen e një ekspertize të re të komunikacionit. Sipas tij, i akuzuari do të deklarohej për fajësinë pasi të përfundonte kjo ekspertizë.

Kërkesa e mbrojtjes u kundërshtua nga prokurori Malart Kuçi, i cili argumentoi se në dosjen e rastit tashmë ekziston një ekspertizë e komunikacionit, e cila, sipas tij, përcakton qartë veprimet e të akuzuarit.

Pas shqyrtimit të kërkesës, gjykata vendosi të mos e shtyjë seancën. Në arsyetimin e saj, ajo theksoi se bëhet fjalë për seancë fillestare, gjatë së cilës i akuzuari duhet të deklarohet lidhur me fajësinë ose pafajësinë, në përputhje me dispozitat ligjore.

Pas leximit të aktakuzës, Llugaliu deklaroi se nuk është në gjendje të shprehet për fajësinë, duke mos dhënë kështu një qëndrim përfundimtar në këtë fazë të procedurës.

Laurent Krasniqi, 29 vjeç, humbi jetën mbrëmjen e 2 shtatorit në një aksident komunikacioni. Ai ishte bërë i njohur për publikun përmes reklamave dhe videove humoristike që publikonte në mediat sociale.

Seanca gjyqësore është zhvilluar nën drejtimin e gjyqtarit Bujar Ahmeti, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet nga organet e drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *