Vjosa Osmani reagon pas vrasjes së dy personave në Gjilan: “Gratë nuk duhet të vdesin që institucionet të zgjohen”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së rëndë që ndodhi sot në Livoç të Ulët të Gjilanit, ku humbën jetën një grua e re dhe vëllai i saj, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.

Përmes një reagimi publik, Osmani ka shprehur indinjatën e saj për këtë ngjarje tragjike, duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si shoqëria dhe institucionet përballen me dhunën.

“Një shoqëri që vajton pas çdo vrasjeje, por nuk arrin ta ndalë dhunën para se të jetë tepër vonë, duhet të përballet me përgjegjësinë e saj”, ka shkruar ajo.

Presidentja ka theksuar se kërcënimet duhet të merren seriozisht dhe se dhuna duhet të parandalohet para se të përfundojë me pasoja fatale.

“Gratë nuk duhet të vdesin që institucionet të zgjohen. Kërcënimet nuk duhet të përfundojnë në arkiv, e dhuna nuk duhet të përfundojë në varreza”, thuhet në reagimin e saj.

Osmani ka kërkuar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për çdo dështim, duke e mbyllur mesazhin me thirrjen: “Veprim, jo fjalë. Asnjë jetë më pak! Asnjë justifikim më shumë!”

Ngjarja në Gjilan ka rikthyer në vëmendje rëndësinë e parandalimit të dhunës, trajtimit serioz të kërcënimeve dhe reagimit në kohë të institucioneve përgjegjëse.