Albulena Haxhiu reagon pas vrasjes në Gjilan: Kërkon hetim të plotë dhe të paanshëm

Albulena Haxhiu ka reaguar pas vrasjes së dy personave në Livoç të Ulët të Gjilanit, ku një grua dhe një burrë humbën jetën nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.

Në reagimin e saj, Haxhiu ka shprehur tronditjen për ngjarjen dhe u ka përcjellë ngushëllime familjeve të viktimave.

“Më tronditi lajmi për vrasjen e një gruaje dhe një burri në Livoç të Ulët të Gjilanit, si dhe plagosjen e një personi tjetër”, ka deklaruar ajo, duke e cilësuar ngjarjen si një humbje të rëndë për familjet e prekura.

Haxhiu i ka uruar shërim të shpejtë personit të plagosur dhe ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të zhvillojnë një hetim të plotë, të paanshëm dhe profesional.

Sipas saj, është e rëndësishme që të zbardhen të gjitha rrethanat e krimit dhe personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.

Ajo gjithashtu ka theksuar nevojën që familjeve të prekura t’u ofrohet mbështetja e nevojshme, duke respektuar privatësinë dhe dinjitetin e tyre.

Hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi Gjilanin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *