Tërmet i fuqishëm 7.7 ballë në Panama, njerëzit dalin të tmerruar në rrugë 

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë ka goditur Panamanë, duke shkaktuar panik te banorët, dëme në ndërtesa dhe ndërprerje të përkohshme të disa shërbimeve. Qindra qytetarë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë dhe ndërtesat ku ndodheshin, ndërsa shumë prej tyre e kaluan natën në rrugë nga frika e lëkundjeve të tjera.

Pas goditjes së fuqishme, autoritetet panameze shpallën gjendje të jashtëzakonshme të shtunën, më 10 tetor, pasi vendi u përball edhe me një tërmet tjetër me magnitudë 6.6 ballë dhe dhjetëra pasgoditje.

Banorët në panik, disa ndërtesa shemben

Tërmeti i parë goditi jugun e Panamasë të premten, më 9 tetor, në një thellësi relativisht të vogël, me epiqendër pranë komunitetit rural Pitaloza Arriba, në provincën Herrera.

Lëkundjet u ndien në pjesë të mëdha të vendit, përfshirë kryeqytetin Panama City, ku qytetarët u larguan me nxitim nga ndërtesat e larta dhe u mblodhën në hapësira të hapura.

Pamjet e publikuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë dëme në ndërtesa, çarje në rrugë dhe banorë që presin jashtë shtëpive të tyre, të shqetësuar se strukturat mund të shemben nga pasgoditjet.

Në qytetin historik La Villa de Los Santos, disa shtëpi dhe kisha historike pësuan dëme të rënda, ndërsa në zona të tjera u raportuan dëmtime në shkolla, spitale, ura dhe hotele.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *