Bullgaria sinjalizon mbështetje për Kosovën, Radev kërkon takim me Kurtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë urime nga homologu i tij bullgar, Rumen Radev, pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës. Përmes një letre zyrtare, Radev ka shprehur gatishmërinë e Bullgarisë për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën dhe e ka ftuar Kurtin për një vizitë zyrtare në Bullgari.

Në mesazhin e tij, kryeministri bullgar i ka uruar Kurtit sukses në ushtrimin e detyrës së re, duke vlerësuar rëndësinë e angazhimit të Kosovës për forcimin e pozitës së saj si shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare.

Një pjesë e rëndësishme e letrës i kushtohet rrugës evropiane të Kosovës. Radev ka bërë të ditur se qeveria që ai drejton është e gatshme të vazhdojë mbështetjen për perspektivën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe për anëtarësimin e saj të plotë në Këshillin e Evropës.

Përveç urimeve dhe zotimit për mbështetje në proceset integruese, Radev ka theksuar nevojën për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.

Në këtë drejtim, ai e ka ftuar Kurtin që ta vizitojë Bullgarinë në të ardhmen e afërt, me synimin që partneriteti mes dy vendeve të zhvillohet edhe më tej.

Sipas letrës, marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe kontaktet e krijuara ndër vite paraqesin një bazë të përshtatshme për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.

Ftesa vjen në kuadër të përpjekjeve për forcimin e lidhjeve politike dhe diplomatike mes dy vendeve, ndërsa mbështetja për integrimin evropian mbetet një prej çështjeve kryesore të bashkëpunimit Kosovë–Bullgari.

Lajmi për letrën e urimit dhe ftesën për vizitë është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.