Katër raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë gjatë së shtunës, më 10 tetor, në Prishtinë, Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë.

Sipas raportimit të bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, rastet përfshijnë dyshime për dhunë fizike dhe psikike.

Në Prishtinë, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje. Ajo ka refuzuar trajtimin mjekësor, ndërsa i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur. Për rastin është njoftuar prokurori.

Në Gjakovë janë arrestuar dy burra, të dyshuar për ushtrim të dhunës psikike, në njërin rast ndaj bashkëshortes dhe në tjetrin ndaj nuses së djalit. Me vendim të prokurorit, ata janë liruar dhe rastet vazhdojnë në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër është raportuar në Rahovec, ku një burrë, nën ndikimin e alkoolit, dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Malishevë, një grua është arrestuar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht vëllain e saj. Edhe ai ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm derisa fajësia të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *