Një person ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Pogragjë të komunës së Gjilanit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 11 tetor 2026, rreth orës 19:30, kur policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat.
Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe Prokurori i Shtetit. Sipas informatave fillestare, viktima është e gjinisë mashkullore, e lindur në vitin 1997, ndërsa vdekjen e tij në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Ndërkohë, një person i dyshuar, mashkull kosovar dhe i njohur për Policinë, është vënë në kërkim policor, pasi dyshohet se pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik.
Art Media do të vazhdojë t’ju informojë për çdo zhvillim të ri lidhur me rastin.



Leave a Reply