Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se të hënën në mëngjes do të thërrasë mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, pas dy ngjarjeve të rënda që kanë tronditur Gjilanin brenda pak ditësh, ku kanë humbur jetën tre persona.
Ngjarja e parë tragjike ndodhi të premten në Livoç të Ulët, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri humbën jetën një motër dhe një vëlla, ndërsa një familjar i tyre mbeti i plagosur.
Ndërkaq, një tjetër rast i rëndë u regjistrua të dielën në mbrëmje në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku një 29-vjeçar u vra me armë zjarri. Sipas raportimeve, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe po kërkohet nga Policia e Kosovës.
Pas këtyre ngjarjeve, Hyseni ka shprehur ngushëllime për familjet që kanë humbur të afërmit e tyre, ndërsa të plagosurve u ka uruar shërim të shpejtë.
Ai ka bërë të ditur se në mbledhjen urgjente do të bashkëpunojë me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe institucionet e tjera përgjegjëse për të koordinuar masat e nevojshme për garantimin e rendit publik dhe rritjen e sigurisë në të gjitha pjesët e komunës.
“Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë është prioriteti ynë kryesor institucional”, ka theksuar kryetari i Gjilanit në reagimin e tij.
Në fund, Hyseni u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë qetësi, maturi dhe bashkëpunim me organet e rendit, duke theksuar se Komuna do t’i shfrytëzojë të gjitha kompetencat e saj për të ndihmuar në parandalimin e rasteve të ngjashme.



Leave a Reply