Tri viktima brenda pak ditësh në Gjilan, thirret mbledhje urgjente e Këshillit për Siguri

Komuna e Gjilanit ka thirrur mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, pas dy ngjarjeve të rënda që kanë tronditur qytetin dhe rrethinën brenda pak ditësh.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se mbledhja do të mbahet të hënën në mëngjes, me qëllim të diskutimit të situatës së sigurisë dhe veprimeve që duhet të ndërmerren pas rasteve tragjike.

Të premten, në fshatin Livoç i Ulët, një burrë dyshohet se vrau bashkëshorten dhe kunatin e tij, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur. Ndërkaq, të dielën mbrëma, një 29-vjeçar humbi jetën nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Pogragjë të Gjilanit.

Pas këtyre ngjarjeve, kryetari Hyseni ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka theksuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve mbetet prioritet institucional.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme pritet të diskutohet bashkëpunimi ndërmjet komunës, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e rasteve të ngjashme.

Komuna ka bërë të ditur se do t’i shfrytëzojë kompetencat e saj për të bashkëpunuar me organet e sigurisë në menaxhimin e situatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *