Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia ende nuk ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral, pavarësisht marrëveshjes së arritur në Bruksel më 2 shtator 2011 dhe mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian (BE).
Gjatë ceremonisë përmbyllëse të projektit “PIAKOS”, të organizuar nga Qendra për Avokim dhe Trajnim (ATRC) dhe Banka Botërore, Kurti ka ngritur shqetësimin për moszbatimin e marrëveshjes, duke theksuar rëndësinë e dokumentacionit pronësor për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.
“Janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar më datë 2 shtator 2011”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se, pavarësisht donacionit prej dy milionë eurosh nga Bashkimi Evropian për këtë proces, Kosovës nuk i është dorëzuar as kopja e dokumentacionit.
Sipas Kurtit, dokumentet kadastrale janë thelbësore për sigurinë juridike të qytetarëve, pasi mundësojnë vërtetimin e pronësisë dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore.
Marrëveshja e arritur në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kishte për qëllim kthimin e dokumentacionit kadastral që ishte larguar nga Kosova në vitin 1999 dhe ishte ruajtur në Serbi.
Dokumentet përmbajnë të dhëna për prona private, toka dhe pasuri të paluajtshme, të cilat janë të rëndësishme për krahasimin e regjistrave dhe zgjidhjen e kontesteve pronësore.
Sipas raportimeve, Serbia kishte njoftuar më herët për përfundimin e procesit të digjitalizimit, por zbatimi i marrëveshjes është penguar nga mosmarrëveshjet rreth mekanizmave për krahasimin dhe verifikimin e të dhënave kadastrale.
Çështja mbetet e rëndësishme për Kosovën, pasi mungesa e dokumentacionit origjinal mund t’i vështirësojë qytetarëve vërtetimin e pronësisë dhe zgjidhjen e kontesteve për pronat e tyre.



Leave a Reply