Bullgaria ka thirrur ambasadoren ruse në Sofje, Eleonora Mitrofanova, për të kërkuar sqarime pas sulmeve me dronë ndaj dy anijeve tregtare në Detin e Zi, pranë bregdetit bullgar. Sulmet ndodhën gjatë natës së 12 dhe 13 tetorit, ndërsa njëra nga anijet u fundos dhe 11 marinarë rezultojnë të zhdukur.
Kryeministri bullgar, Rumen Radev, i ka cilësuar sulmet si të papranueshme, duke theksuar se ato ndodhën në afërsi të ujërave territoriale të vendit. Ai ka deklaruar se ende nuk ka prova të qarta për të fajësuar drejtpërdrejt ndonjë shtet, por sipas tij, përfitues nga këto sulme është Rusia.
Anija e fundosur, HS Dignity, lundronte nën flamurin e Guinesë-Bisau. Nga ekuipazhi i saj, pesë marinarë janë shpëtuar, ndërsa 11 të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur. Anija tjetër, Chelsea 3, e cila lundronte nën flamurin e Maltës, u godit nga tre dronë, por të 15 anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan.
Pas takimit me ambasadoren ruse, autoritetet bullgare bënë të ditur se ajo nuk kishte informacione nga Ministria ruse e Mbrojtjes lidhur me sulmet, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që ato të ishin provokim nga një palë e tretë.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian dhe Ukraina i kanë dënuar sulmet, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i dhunës në Detin e Zi rrezikon jetën e marinarëve dhe sigurinë e transportit detar. Bullgaria ka kërkuar gjithashtu mbështetjen e NATO-s dhe BE-së për hetimin e ngjarjes dhe forcimin e mbikëqyrjes detare.



Leave a Reply