Sulmohen dy anije në Detin e Zi, 11 marinarë rezultojnë të zhdukur

Dy anije tregtare janë goditur nga dronë në Detin e Zi, pranë bregdetit të Bullgarisë, gjatë natës së 13 tetorit. Si pasojë e sulmeve, njëra prej anijeve është fundosur, ndërsa 11 marinarë rezultojnë të zhdukur. Autoritetet bullgare kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit, pasi pesë anëtarë të ekuipazhit të anijes së fundosur janë arritur të shpëtohen.

Anija e fundosur, HS Dignity, e cila lundronte nën flamurin e Guinesë-Bisau, ndodhej pranë fshatit Krapets, në bregdetin bullgar. Ndërkohë, anija tjetër, Chelsea 3, me flamur maltez, u godit nga tre dronë. Të 15 anëtarët e ekuipazhit të saj, shtatë ukrainas dhe tetë azerbajxhanas, u shpëtuan. Sipas autoriteteve, disa prej tyre pësuan lëndime të lehta.

Kryeministri bullgar, Rumen Radev, i cilësoi sulmet si të papranueshme dhe kërkoi mbështetjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian për forcimin e sigurisë detare dhe ajrore. Bullgaria ka thirrur gjithashtu ambasadoren ruse për sqarime, por deri më tani nuk ka prova përfundimtare që konfirmojnë se kush qëndron pas sulmeve. Rusia nuk ka dhënë menjëherë një koment zyrtar për incidentet.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i dënoi sulmet, duke paralajmëruar për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë dhe rrezikun që paraqitet për transportin detar. Edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, akuzoi Moskën për sulme që rrezikojnë jetën e civilëve dhe sigurinë e lundrimit në Detin e Zi.

Incidenti vjen vetëm një javë pas një sulmi tjetër ndaj anijeve tregtare në zonën ekonomike detare të Bullgarisë, ku një anije u fundos dhe disa marinarë rezultuan të zhdukur. Sulmet e përsëritura kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e rrugëve detare, të rëndësishme për transportin ndërkombëtar të mallrave dhe eksportin e drithërave. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *