Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë në dy raste të ndara, ku dyshohet për ngacmim seksual, kontrollim të kundërligjshëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë, tre në Prishtinë dhe dy në Gjilan, pas veprimeve fillestare hetimore lidhur me dy raste të ndara.
Sipas njoftimit të IPK-së, tre zyrtarët e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë dyshohen për përfshirje në veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kontrollimi i kundërligjshëm”.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës së 15 tetorit, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen Lakërishte. Sipas ankesës, një drejtuese automjeti pretendon se ishte ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë, të cilët më pas i kishin kërkuar të vazhdonte në drejtim të Çagllavicës për veprime me karakter seksual.
Lidhur me këtë rast, me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedurë penale.
Ndërkohë, në Gjilan, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas të dhënave fillestare, më 15 tetor, rreth orës 23:00, zyrtarët dyshohet se kanë ndaluar një qytetar, e kanë futur në veturën zyrtare, e kanë fyer dhe ia kanë marrë telefonin pa urdhër të prokurorit.
Hetimet për të dy rastet do të vazhdojnë në koordinim me organet kompetente, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave.
Rekomandimi për suspendim dhe dyshimet e ngritura nuk përbëjnë vendim përfundimtar mbi fajësinë e zyrtarëve të përfshirë.



Leave a Reply