Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për mashtrim, i cili dyshohet se është paraqitur rrejshëm si punonjës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke u kërkuar qytetarëve para në këmbim të premtimeve për punësim në këtë institucion.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari, i identifikuar me inicialet D.N., dyshohet se e ka kryer këtë veprimtari nga fillimi i vitit 2025 deri në raportimin e rastit në tetor të këtij viti.
Hetimet janë zhvilluar nga hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa procedurat ligjore do të vazhdojnë.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos u japin para personave që premtojnë punësim në institucionet publike dhe që raste të tilla t’i raportojnë te organet kompetente.



Leave a Reply