Haziri: LDK-ja drejt zgjedhjeve të brendshme më 2027, kërkohet garë mbi meritën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se viti 2027 do të shënojë një proces të rëndësishëm për partinë, pasi pritet të mbahen zgjedhjet e brendshme për strukturat e saj drejtuese.

Përmes një publikimi në Facebook, Haziri ka vënë theksin te ruajtja e frymës demokratike brenda LDK-së, si dhe te vlerësimi i kontributit të anëtarëve që kanë qenë pjesë e zhvillimit të partisë përgjatë 37 vjetëve të ekzistencës së saj.

Sipas tij, procesi zgjedhor duhet të zhvillohet duke respektuar parimet demokratike dhe duke u dhënë mundësi të gjithë atyre që synojnë pozita drejtuese të dëshmojnë aftësitë dhe meritat e tyre.

Haziri ka theksuar se diskutimet për kandidaturat nuk duhet të dominojnë para se të nisë zyrtarisht gara. Fillimisht, sipas tij, duhet të përcaktohet kalendari i zgjedhjeve për të gjitha nivelet e organizimit partiak.

Ai ka bërë thirrje që anëtarët të vlerësohen në bazë të punës, rezultateve dhe kontributit personal, duke e konsideruar këtë qasje si një mundësi për ta forcuar partinë dhe për ta rikthyer besimin e qytetarëve.

Në mesazhin e tij, Haziri ka përmendur gjithashtu nevojën për bashkim dhe bashkëpunim, me synimin që LDK-ja të rikthehet si një alternativë e besueshme për qytetarët.

Ai ka ritheksuar rëndësinë e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duke e lidhur të ardhmen politike të partisë me bashkëpunimin dhe orientimin euroatlantik.

Sipas Hazirit, gara e ardhshme e brendshme duhet të shërbejë si mundësi për ta bashkuar anëtarësinë dhe për të krijuar një frymë të re besimi brenda LDK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *