Kurti në Budva: Kosova kërkon hapa drejt BE-së dhe NATO-s, kritika Serbisë për Radoiçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar përshpejtimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian, duke bërë thirrje që vendit t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të nisin negociatat për anëtarësim.

Gjatë fjalimit të tij në Samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në Budva të Malit të Zi, Kurti theksoi se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësitë që i takojnë një vendi anëtar të institucioneve evropiane. Ai gjithashtu ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Kreu i Qeverisë kritikoi Serbinë për veprimet e saj ndaj Kosovës, duke i krahasuar metodat e përdorura me ato të Rusisë. Në këtë kontekst, ai përmendi sulmin e armatosur në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e ujit Ibër-Lepenc, të cilat i cilësoi si sulme të organizuara me synim destabilizimin e vendit.

Kurti rikujtoi se gjatë sulmit në Banjskë, në shtator të vitit 2023, u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ai kritikoi faktin që Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi, vazhdon të jetë i lirë dhe, sipas tij, gëzon mbrojtjen e Serbisë.

Sipas Kurtit, sulmet ndaj institucioneve dhe infrastrukturës kritike të Kosovës nuk duhet të trajtohen si çështje që i përkasin vetëm vendit, por si kërcënime ndaj sigurisë së gjithë Evropës.

Ai kërkoi një përgjigje të përbashkët nga shtetet evropiane, duke argumentuar se reagimet e izoluara ndaj incidenteve të tilla nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar përsëritjen e tyre. Në këtë drejtim, Kurti e cilësoi anëtarësimin në NATO si një garanci të rëndësishme për sigurinë dhe parandalimin e kërcënimeve ndaj Kosovës.

Gjatë fjalimit, kryeministri ngriti edhe çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai u bëri thirrje përfaqësuesve evropianë që t’i kushtojnë më shumë vëmendje gjendjes së tyre, duke pretenduar se shqiptarët po përballen me pengesa në përfaqësimin institucional dhe në jetën publike.

Kurti theksoi se mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe e dinjitetit njerëzor duhet të mbetet ndër prioritetet kryesore të Evropës, duke kërkuar angazhim më të madh për të garantuar të drejta të barabarta për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *