Qytetarët që po udhëtojnë nga Kosova drejt Serbisë për të marrë pjesë në zgjedhje po përballen me pritje të gjata në disa vendkalime kufitare. Fluks më i madh është evidentuar në ditën e votimit, ndërsa situata më e ngarkuar raportohet në Jarinjë dhe Merdar.
Të dhënat e publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar tregojnë se pritjet në hyrje në disa pika arrijnë nga 30 deri në 40 minuta, kurse në dalje kohëzgjatja mund të shkojë nga 90 deri në 120 minuta.
Në pikën kufitare në Merdar, pritjet për automjetet që dalin nga Kosova arrijnë deri në dy orë, ndërsa kolona e automjeteve është e gjatë rreth tre kilometra. Situatë edhe më e ngarkuar paraqitet në Jarinjë, ku qytetarët po presin deri në tri orë për të kaluar kufirin në drejtim të Serbisë.
Ndërkohë, në Rashkë, ku votojnë qytetarë nga veriu i Kosovës, është raportuar grumbullim i madh i votuesve. Sipas mediave lokale, në gjysmën e parë të orës pas hapjes së vendvotimit, dy gra janë alivanosur.
Pjesëmarrja e qytetarëve në votime ka ndikuar në shtimin e qarkullimit në pikat kufitare, duke shkaktuar pritje për ata që po udhëtojnë nga Kosova drejt Serbisë.



Leave a Reply