
Fjala i plotë i kryeministrit Kurti në mbledhjen LXII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!:
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
E nderuara kryesuese e organit më të lartë të subjektit tonë politik, Arbërie Nagavci,
Të nderuar nënkryetarë të Lëvizjes, Glauk Konjufca dhe Mrika Limani-Myrtaj,
I nderuari Sekretar Organizativ, Alim Rama, dhe Koordinatore e Komiteteve Profesionale, Dejona Mihali,
I nderuari Sekretar për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Hajrulla Çeku,
E nderuara kryetare e Grave për VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu, dhe i Rinisë për VETËVENDOSJE!, Libron Kelmendi,
Të nderuar ministra të qeverisë e kryetarë të komunave, deputetë të Kuvendit e zëvendësministra, drejtorë e asambleista anembanë Kosovës,
Të dashur aktivistë dhe aktiviste,
Të nderuar pjesëmarrës,
Mirëdita të gjithëve dhe mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në mbledhjen e 62-të në prag të 15 vjetorit prej se kemi filluar t’i mbajmë mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, pra që nga 25 qershori i vitit 2011.
Është hera e parë që po takohemi pas fitores rekord dhe historike dy muaj më parë në zgjedhjet parlamentare. Gëzuar edhe një herë, urime për aksionin që e tejkalon edhe imagjinatën. Fushata zgjedhore e VETËVENDOSJE!-s për 28 dhjetorin 2025 ishte e paparë, jo vetëm në Kosovë e te kombi shqiptar, por edhe në rajon e më gjerë. Unë shpreh mirënjohjen time të thellë si kryetar i Lëvizjes për të gjithë juve këtu, për të gjithë ata e ato, atje e kudo që janë, për secilën e secilin sepse ka qenë angazhim gjigand i cili na ka sjellur në këtë lartësi, të cilën mund ta kemi dëshiruar por nuk mund të them që edhe e kemi paramenduar kollaj. Prandaj, faleminderit të gjithëve nga zemra dhe urojmë të nxjerrim mësimet e mira nga fundviti 2025, jo vetëm për vitin 2026 por edhe shumë vite në vijim. Pra, ajo fitore erdhi edhe nga ajo fushatë, e cila pa dyshim që nuk ishte thjesht një garë politike. Ishte një lëvizje e gjallë, fort vitale, e cila përfshiu mijëra vullnetarë, aktivistë dhe simpatizantë në të gjithë Kosovën, nga viset e banuara me shqiptarë por edhe nga mërgata jonë e dashur. Energjia, përkushtimi dhe durimi i tyre ishin forca jonë më e madhe. Pa këtë angazhim, asgjë nuk do të ishte e mundur; me atë angazhim gjithçka na u mundësua.
Kujtojmë momentin historik të 6 tetorit 2019, kur populli na dha një votë bindëse për ndryshim, na nxori të parët në garë dhe atë ditë, thamë: “Doli zogu nga lëvozhga e nuk kthehet më”. Ishte dita kur vendi tregoi se rruga për punë dhe drejtësi, përkushtim ndaj qytetarëve dhe shtetit, nuk mund të kthehet pas. Në zgjedhjet e shkurtit 2021 ai zog filloi të fluturojë, dhe më pas, me këtë fitoren e mbramë të dhjetorit 2025, shtriu krahët e tij mbi të gjithë Republikën, duke na dhënë një mandat edhe më të fuqishëm për të vazhduar rrugëtimin tonë.
Slogani i fushatës, “Siguri dhe Begati”, shprehu synimin për një shtet më të fortë, më të drejtë dhe me zhvillim të qëndrueshëm. Ndërkaq, “Mos lësho pe!” u bë thirrje e përbashkët cep më cep, mes nesh dhe qytetarëve, për këmbëngulje përballë çdo sfide. “Mos lësho pe!”, në fakt, ishte më shumë se thirrje, ishte përkufizim i rrugëtimit tonë dhe i vendosmërisë për të mbrojtur interesin publik dhe sovranitetin e vendit.
Ne, siç e dini të gjithë, nuk i kërkuam zgjedhjet e dhjetorit. As qytetarët nuk kërkonin një tjetër proces elektoral. Vendi kishte nevojë për punë e për paqe, për vazhdimësi e siguri, për zhvillim e stabilitet. Por kur zgjedhjet u bënë të pashmangshme, populli foli qartë. Ai nuk deshi kthim pas, por vazhdim përpara. Dhe këtë e shprehu me një fitore tejet të madhe, me 51.1% të votave, duke e kthyer një situatë të padëshiruar bllokimi në një mandat të fuqishëm për progres. Pra, jo 50%, por 51% dhe jo 51%, por 51.1%. Ky numër ta ngjallë figurën e Zotit me laps: 51,1%.
Të dashur qytetarë,
Të nderuar aktivistë,
Ne i fituam këto zgjedhje, me popull e për popull, me më së shumti vota për formimin e institucioneve në historinë e Republikës sonë. I fituam ato bashkë në pothuajse secilën komunë, duke shënuar rritje në çdonjërën prej tyre: në 24 prej 38 komunave. E në këto 38, siç e dimë 11 janë aso me shumicë të pakicave, që do të thotë se në 24 nga 27 jemi edhe të parët edhe në ngritje. Një besim kaq i madh dhe një vendosmëri kaq e fortë na përul dhe na obligon të punojmë për të qenë në lartësinë e pritjeve që qytetarët kanë për ne. Ky rezultat nuk na bën më të fortë përballë kundërshtarëve politikë, por na bën më të përgjegjshëm para qytetarëve të vendit tonë.
Kjo fitore nuk është vetëm e një individi, as e vetëm një ekipi, por e shumë ekipeve të tëra që punuan pa u lodhur për të sjellë punë dhe drejtësi për secilin qytetar. Kjo fitore e jona, ka një rëndësi edhe numerike edhe politike.
Numerikisht, rikthimi me mbi 51% të votave pas një mandati të plotë, tregon se qytetarët vlerësojnë punën konkrete zhvillimore, progresin shoqëror dhe stabilitetin institucional. Kurse politikisht, zgjedhjet e 2025 nuk ishin vetëm një garë mes partive. Ato ishin një referendum për vazhdimin e reformave, për forcimin e sovranitetit dhe për zhvillimin e ekonomisë.
Ky rezultat konfirmon se fuqia në Republikë buron nga qytetarët. Ata vendosin, ata kontribuojnë dhe ata krijojnë standarde të reja për qeverisjen. Kjo fitore është një mesazh se vendosmëria dhe përkushtimi triumfojnë mbi sfidat dhe pengesat politike. Ky triumf nuk është vetëm sukses elektoral. Ai është shprehje e një etje të thellë për drejtësi sociale, rritje ekonomike dhe qeverisje të ndershme. Shënon fillimin e një etape të re të shtetndërtimit, duke i dhënë qeverisë legjitimitet të fortë për të vazhduar projektet strategjike dhe për të forcuar pozitën ndërkombëtare të vendit. Kjo fitore na obligon që të shndërrojmë besimin e qytetarëve në rezultate konkrete për secilin qytetar, në cilëndo komunë, në secilën familje. Për këtë mandat të ri falënderoj çdonjërin qytetar që votoi. Të gjithë atyre që na besuan u jam mirënjohës për vetëdijen dhe përgjegjësinë që treguan për Republikën dhe për të ardhmen tonë të përbashkët. Ju faleminderit përzemërsisht!
E tash, siç jemi zotuar në fushatë, 1 miliard euro investime në ushtri, 1 miliard euro në prodhim dhe 1 miliard euro në vit investime kapitale. Natyrisht shumë projekte të mëdha e të rëndësishme për Republikën tonë.
Me investimet në mbrojtje, duke rekrutuar ushtarë të rinj dhe duke zhvilluar industrinë ushtarake të Kosovës, vendin tonë e bëjmë më të sigurt dhe veten tonë partner më të besueshëm për aleatët tanë.
Siguria është mbrojtje. Por siguria është edhe energji, ujë, prodhim dhe siguri sociale.
Vendi ynë do të bëhet neto-eksportues i energjisë elektrike. Termocentrali “Kosova B” do të modernizohet, ndërkaq Termocentrali “Kosova A” do të rehabilitohet thellësisht. Kapacitetet e prodhimit të energjisë së erës do të shtohen për më shumë se dyfish, ndërkaq ato diellore për më shumë se tetëfish. Do të nisë gjithashtu zbatimi i sistemit të baterive për ruajtjen e energjisë, do të ndërtohen sisteme të reja të ngrohjes qendrore dhe do të përfundojë projekti për dyfishimin e kogjenerimit në Termocentralin “Kosova B”. Krahas këtyre, do të angazhohemi për projektin më të rëndësishëm energjetik për dekada: gazifikimin e linjitit përmes teknologjive moderne për kapacitete të reja energjetike.
Kapacitetet prodhuese të energjisë janë po aq të rëndësishme sa edhe kapacitetet akumuluese të ujit. Prandaj do të investojmë 400 milionë euro për ndërtimin e pesë digave të reja: në Dragaqinë, Firajë, Desivojcë, Pollatë dhe Kuqicë. Ato do të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm, mbrojtje nga pasojat e ndryshimeve klimatike, si vërshimet e shpeshta, dhe njëkohësisht do të rrisin potencialin për bujqësi intensive.
Prodhimi është kurrizi i një ekonomie të fortë dhe të qëndrueshme. Do të vëmë në dispozicion 1 miliard euro garanci sovrane për të garantuar investimet private në fabrika dhe prodhim. Do ta themelojmë Bankën Zhvillimore për të mbështetur zhvillimin industrial dhe ndërmarrjet prodhuese. Do të bëjmë investime të reja e të mëdha në Trepçë për ta rikthyer atë në funksion të zhvillimit ekonomik.
Shëndeti është po ashtu siguri. Çdo qytetar do të ketë mjek familjar dhe kontrolle të rregullta mjekësore për parandalimin dhe trajtimin e hershëm të problemeve shëndetësore. Do të ndërtojmë spitale të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj, si dhe poliklinika specialistike në Drenas, Sharr, Viti, Rahovec dhe Leposaviq. Poliklinika specialistike stomatologjike do të hapen në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj dhe Podujevë, ndërsa buxheti për listën esenciale të barnave do të rritet deri në 100 milionë euro.
Sportin do ta bëjmë kulturë të popullsisë, përveçse infrastrukturë për sportistë. Do të investojmë 250 milionë euro për ndërtimin ose rinovimin e tërësishëm të 20 stadiumeve të futbollit në mbarë vendin, duke sjellur infrastrukturë moderne për të rinjtë tanë.
Rritjen ekonomike do të vazhdojmë ta ndajmë me qytetarët për mirëqenie më të lartë shoqërore. Shtesat për fëmijë do të dyfishohen: nga 0 euro që i gjetëm, e 45 euro që i bëmë, do të arrijnë në 90 euro për familjet me tre ose më shumë fëmijë. Shtesat për nënat lehona do të rriten: edhe ato i gjetëm 0 euro, tash janë 325.9 euro, do të bëhen 500 në muaj.
Do të nisë projekti “SuperPuna për Gratë”, për mbështetjen e punësimit të grave. Për çdo grua të punësuar përmes SuperPunës, qeveria do të subvencionojë pagën minimale prej 500 eurosh për gjashtë muaj, e paga 500 euro si pagë minimale nis më 1 korrik sivjet. Do të mbështesim edhe gjyshërit që kujdesen për fëmijët kur të dy prindërit janë në punë, me 100 euro shtesë mujore mbi pensionin e tyre bazë.
E shumë politika e plane, projekte dhe aktivitete të tjera për sigurinë e Republikës dhe begatinë e qytetarëve të saj. Së shpejti të gjitha këto do të bëhen bashkë në programin qeveritar të mandatit tonë në Legjislaturën e X-të.
Punën përmes përmbushjes së zotimeve në këtë mandat të ri e nisim me Buxhetin e vitit 2026, të miratuar në Kuvend në lexim të dytë më 20 shkurt.
Buxheti, në vlerë rreth 4 miliardë euro, e përfshin edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, e cila do të shpërndahet në fund të këtij muaji që nisi sot; përmban ndryshimin e nevojshëm që mundëson dyfishimin e shtesës për përvojën e punës nga 0.25% në 0.5% për 15 vitet e para; parasheh 867 milionë euro për komunat; si dhe shtyrjen e afatit për zbatimin e shkallës progresive të tatimit në pronë, derisa ta miratojmë Ligjin e ri për Tatimin në Pronë, në konsultim me komunat.
Buxheti po ashtu përfshin edhe pagesat për të rinjtë dhe gratë që angazhohen nga Superpuna, kompletimin e reformës së asistencës sociale dhe mbështetje tjera për familjet. Më të po ashtu rritet mbështetja për barna esenciale, për kulturën dhe për sportin. Rritet edhe mbështetja për ndërmarrësit në sektorin privat dhe për bujqit, si dhe për investime në infrastrukturë publike.
Pas kalimit të tri marrëveshjeve ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe sidomos Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian që gjithsej e tejkalojnë vlerën prej 1 miliard euro, që të fillojmë të qeverisim shpejt e mirë e mbarë, na ka ngelur edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit.
Andaj, të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,
Më lejoni disa fjalë rreth kësaj çështjeje, për të cilën tashmë nuk kanë mbetur edhe shumë ditë. Pas formimit të qeverisë kemi filluar angazhimin intensiv për këtë proces, duke pasur parasysh kohën e shkurtër që kemi në dispozicion, por gjithmonë pa harruar faktin thelbësor se për zgjedhjen e Presidentit nevojiten 80 vota në Kuvend. Kam qenë plotësisht i vetëdijshëm se Lëvizja VETËVENDOSJE! e vetme nuk i ka 80 vota. Për këtë arsye, menjëherë kam vendosur kontakte me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, me qëllim që të diskutojmë për mënyrat për tejkalimin e kësaj sfide në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme. Takimet kanë qenë konstruktive dhe, fillimisht, ka qenë një pajtueshmëri se vendi ka nevojë për një figurë unifikuese. Një figurë e tillë, e padiskutueshme për të gjithë, sigurisht që do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë e profesor e personalitet si Murat Jashari do të gëzonte mbështetje gjithëpartiake, do të ishte nder për Republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin.
Rrethanat gjeopolitike nga lufta në Ukrainë, konflikti SHBA-Iran dhe tensionet në Lindjen e Afërt e të Mesme, si dhe kërcënimet dhe sulmet e njëpasnjëshme nga Serbia – përfshirë agresionin terrorist në Banjskë, sulmin kinetik në kanalin Ibër-Lepenc dhe kërcënimet e përditshme nga fqinji ynë verior – kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë e cila i bën ballë shtrëngatave me të cilat mund të përballet vendi ynë. Në kohë të vështira, ne gjithmonë, siç e dini të gjithë ju, kemi gjetur mbështetje dhe frymëzim te familja Jashari, ashtu siç gjetëm në kohën e luftës nën udhëheqjen e Kryekomandantit Adem Jashari, prandaj edhe sot zgjedhja e një figure si Murat Jashari do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur. Pra, ky do të ishte dhe vazhdon të mbetet rasti ideal.
Megjithëkëto, pas takimit të dytë që pata me Kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, më është kumtuar nga një qëndrim i kryesisë së tyre se ata tashmë konsiderojnë se Presidenti nga java e ardhshme duhet të vijë nga PDK-ja. Nisur nga ky qëndrim, unë mendoj se kandidati mund të vijë nga cilido subjekt – qoftë nga PDK, LDK apo Lëvizja VETËVENDOSJE! – por, në fund, zgjedhjen për President nuk e garanton përkatësia partiake, por vota në Kuvend.
Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secili subjekt të propozojë kandidatin e vet partiak dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit. Këtë e parasheh edhe Kushtetuta, e cila garanton një proces demokratik ku së paku dy kandidatë i nënshtrohen një gare të drejtë, me kuorum të siguruar, duke shmangur nevojën për zgjedhje të jashtëzakonshme. Në fund, do të fitojë ai apo ajo që arrin të marrë mbështetjen e deputetëve në cilindo nga 3 raundet, ashtu siç e kërkon kushtetuta në procedurën e saj.
Nesër do ta takoj edhe Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, ku do të diskutojmë edhe me të rreth këtij procesi. Mirëpo ne kemi qëndrimin që, nëse subjektet pajtohen që ky të jetë rrugëtimi, pra garë e hapur ku secili subjekt ka kandidatin apo kandidaten për President, atëherë edhe ne pajtohemi me këtë qasje dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta ketë kandidatin e saj për President.
Si Kryetar, jam duke u angazhuar maksimalisht që ta tejkalojmë këtë proces në mënyrë të suksesshme dhe që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja. Kemi pasur katër palë zgjedhje gjatë vitit 2025. E filluam me zgjedhje të rregullta parlamentare, e përmbyllm me zgjedhje të parakohshme parlamentare, e midis tyre i kishim dy raundet e zgjedhjeve lokale. Dhe viti 2026 në të cilin kemi hyrë tani, duhet të na presë me punë, me stabilitet institucional dhe me rezultate konkrete për qytetarët, jo me fushata elektorale. Për zgjedhjen e Presidentit nevojiten 80 vota dhe rrjedhimisht është e domosdoshme bashkëpunimi dhe konstruktiviteti nga opozita. Ky proces mund të realizohet qoftë përmes zgjedhjes së një figure unifikuese, siç do të ishte kandidati Jashari, apo edhe përmes një gare të drejtë dhe demokratike ndërmjet kandidatëve të propozuar nga subjektet politike, sipas procedurës kushtetuese.
Ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE!, jemi, sepse duhet të jemi, të gatshëm për të dyja opsionet.
Në këtë mbledhje, të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, padyshim që duhet të diskutojmë edhe për çështjet tona organizative. E kur jemi tek ato, ndër temat më të rëndësishme që do të na shoqërojnë përgjatë këtij viti në organizatën tonë, janë zgjedhjet e brendshme. Këtë vit, strukturat tona organizative përfundojnë mandatin katërvjeçar, siç e parasheh e siç e rregullon statuti ynë dhe rregulloret e brendshme. Më lejoni që edhe një herë nga këtu, të falënderoj të gjithë aktivistët e përfshirë në strukturat tona organizative gjithandej republikës sonë, t’i falënderoj për kontributin e tyre të pashembullt dhe punën e palodhshme në këto katër vite, nga ku vetëm në vitin që e lamë pas kemi kaluar deri në katër cikle zgjedhore e për të cilat është nevojitur e nuk ka munguar angazhimi i secilit prej tyre.
Nga zgjedhjet e kaluara që patën filluar në mes të prillit të vitit 2022 dhe patën përfunduar në mbledhjen zgjedhore të Këshillit të Përgjithshëm në fund të tetorit të po atij viti, pra më shumë se gjashtë muaj proces, kemi disa mësime të nxjerra, ashtu sikurse për gjërat të cilat kanë shkuar mirë e që duhet të vazhdohen, ashtu sikurse dhe për ato që kanë mundur të jenë më mirë apo diku edhe shumë më mirë e që duhen përmirësuar, e të cilat po mundohemi t’i trajtojmë përgjithësisht në këtë mbledhje, e që besoj detajisht bashkë me drejtuesit e qendrave tona, veç e veç, do t’i trajtojmë në kuadër të fazës përgatitore të procesit.
Sa i përket shtrirjes së strukturës nëpër vendbanimet e banueshme, procesin zgjedhor të kaluar e patëm përfunduar me gjithsej 487 Pika të themeluara gjithandej qendrave tona në Kosovë, për shkak të kohës së kufizuar të procesit për zgjedhjet në nivelin e parë organizativ por, dhe me idenë që më vonë do të vazhdonte shtrirja e mëtejshme në vendbanimet ku nuk u patën organizuar mbledhjet zgjedhore. Kjo gjë nuk ndodhi dhe sot kur flasim gjithandej qendrave tona, numri i Pikave që kanë organet vendimmarrëse nuk e kalon 550, ndërkohë që dihet që në Republikën tonë ka përgjithësisht si vendbanime të banueshme, rreth 900 sosh. E në këtë drejtim, por edhe në të gjitha planifikimet që do t’i bëni në qendra për procesin e zgjedhjeve të brendshme, është shumë me rëndësi që ta keni parasysh raportin e detajuar nga regjistrimi i popullsisë i bërë nga Agjensia e Statistikave të Kosovës dhe i publikuar në dhjetorin e vitit 2024.
Sa i përket përfshirjes së anëtarësisë, në Pikat ku në vitin 2022 u pat organizuar proces zgjedhor bënin pjesë 35,772 anëtarë, ndërkohë që në organizatën tonë edhe atëherë kanë qenë të regjistruar rreth 60,000 anëtarë. E pjesëmarrja e anëtarësisë në mbledhjet zgjedhore ka qenë akoma më e vogël se sa 35 mijë ku kanë patur ftesën për të qenë në proces. Është shumë e rëndësishme që në mbledhjet tona zgjedhore nëpër lagjet e fshatrat e komunave të thirren që të gjithë, të takohen paraprakisht, e jo vetëm një mbledhje zgjedhore, merren përgjegjësi por ajo mbledhje zgjedhore kurrsesi nuk do të jetë e para apo të mbetet e fundit e një pike, sikurse fatkeqësisht ka ndodhur në të kaluarën. E kemi parë edhe nga procesi zgjedhor sidomos ai lokal që është e domosdoshme një strukturë e qëndrueshme dhe funksionale në bazë, pra në Pika.
Sa i përket strukturave të organeve të ndërvarura, GVV dhe RVV, në zgjedhjet e kaluara, për herë të parë që nga Këshillat e Pikave, te Kryesitë e qendrave, te këshillat e qendrave, tek ato e krahas tyre, kemi patur edhe organizimin e dy organizatave të ndërvarura brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Gratë për VETËVENDOSJE! dhe Rinia për VETËVENDOSJE!. Edhe kur patëm propozuar e realizuar themelimin e këtyre dy forumeve atëherë, por edhe tash, jemi të bindur që kemi bërë një hap përpara drejt organizimit të mirëfilltë e më të konsoliduar të dy kategorive fort të rëndësishme të shoqërisë tonë, grave e vajzave, të rinjve e të rejave. Veç ndihmës e organizimit më të lehtë në qendra, ky organizim, ka ndihmuar edhe në aspektin e marrëdhënieve tona me organizatat ndërkombëtare. Ku në shumë prej tyre, avancimi ynë dhe përfshirja si subjekt politik ka qenë më i qasshëm e më i lehtë.
Vlen të theksohet nevoja për organizim më solid e punë më të madhe në terren veçmas në shtrirjen e organizimit në qendra të këtyre dy kategorive. Suksesi në të ardhmen i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varet më së shumti prej suksesit të GVV-së dhe RVV-së. Nuk është mirë që në përfundim të procesit të ardhshëm zgjedhor të ketë ende qendra, siç ka tani, që nuk kanë drejtues të këtyre dy organizatave të ndërvarura brenda tyre. Për këtë, nevojitet edhe më shumë punë e angazhim, më shumë gatishmëri e ndihmë, më shumë përfshirje edhe nga niveli i tretë organizativ, nga aktivistët e rinj, nga aktivistet gra e vajza që bartin edhe funksione të rëndësishme në institucionet lokale e ato shtetërore.
Debatet e brendshme duhet të shterren para fillimit të procesit. Që të mos reflektohet në procesin e brendshëm zgjedhor, çdo hatërmbetje nga proceset pararendëse zgjedhore elektorale nëpër të cilat kemi kaluar, duhet të zhvillohet paraprakisht një proces reflektimi, diskutimi e më pas dakordimi brenda strukturave përmes takimeve sqaruese dhe debateve në mënyrë që pakënaqësitë të mos trashëgohen nga një cikël zgjedhor te tjetri, e të shkojë i tërë mandati për menaxhimin dhe trajtimin e tyre.
Para proceseve zgjedhore formale, duhet të bëhet punë përgatitore me anëtarësinë, identifikim i figurave me potencial elektoral dhe përfshirja e tyre brenda strukturës. Kryesitë duhet të punojnë në mënyrë aktive për të përfshirë përfaqësim më të gjerë territorial e gjinor, profesional e shoqëror. Procesi i përditësimit të anëtarësisë duhet të jetë real dhe detyrë kryesore e pikave dhe qendrave përgjatë kësaj faze përgatitore.
Sa i përket planifikimit të procesit, sikurse çdoherë, pas orientimeve që do t’i ketë nga kryesia, KZP-ja dhe Sekretari organizativ, do të përpilojnë planifikimin e kalendarit zgjedhor për zgjedhjet e brendshme që përfshijnë tri faza.
Faza e parë janë zgjedhjet në nivelin e parë organizativ, Pikat. Faza e dytë, zgjedhjet në nivelin e dytë organizativ, kryetarët e qendrave, kryesitë e qendrave. Dhe faza e tretë, zgjedhjet në nivelin e tretë organizativ, ku e kemi Këshillin e Përgjithshëm, kryesinë dhe kryetarin. Procesi zgjedhor duhet të mbyllet deri në fund të këtij viti e fillimin e tij orientimisht ta kemi përgjatë Javës së Lëvizjes, në muajin qershor, përkatësisht ndërmjet datave 10 dhe 17 qershor.
Nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara, zgjedhjet në vit zgjedhor zgjasin më shumë se gjysëm viti, por suksesi i tyre varet shumë nga puna përgatitore parazgjedhore. Ky vit zgjedhor le të shërbejë për sa më shumë gjithpërfshirje të anëtarëve e të aktivistëve brenda organizatës, për një organizim sa më të fortë e më të gjerë e solid të strukturave tona organizative e krahas zgjedhjeve të brendshme, sigurisht që nuk duhet të anashkalojmë, teksa edhe përgatitemi, fokusi te çështjet lokale. Adresimin e çështjeve nga baza. Opozitarizmin e fortë në komunat ku jemi në opozitë e ndihmën e madhe që organizata duhet ta japë tek ekzekutivi në komunat ku ne qeverisim.
Jam i bindur që suksesi në zgjedhjet e ardhshme lokale për komunat gjithandej Kosovës do të varet më shumë prej zgjedhjeve të brendshme sivjet, sesa prej fushatave që do t’i bëjmë në vitet e ardhshme, atëherë kur do të jenë zgjedhjet për komunat e Kosovës sërish.
Më lejoni që edhe një herë, ta shpreh si kryetar i Lëvizjes, si kryeministër i Republikës, falenderimin tim personal, por edhe të kryesisë së Lëvizjes, për mbështetjen e palëkundur, për përkrahjen e parezervë, që na e keni dhënë gjithandej, tërë kohën, të gjithë, secila e secili prej juve! Angazhimi është i yni dhe i përbashkët. Kontributi është për popull e shtet, për komb e për shoqëri.
Përgëzime edhe një herë për punën dhe rezultatin. Urime edhe një herë për fitoren dhe sukseset!
Ju faleminderit, përzemërsisht, të gjithëve!



Leave a Reply