
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se i ka kërkuar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, që SHBA-ja të paraqesë menjëherë kandidaturën për të organizuar edhe një herë Kupën e Botës.
Deklarata erdhi pas përfundimit të Botërorit 2026, të cilin Trump e cilësoi si një sukses të madh organizativ. Sipas tij, turneu ka dëshmuar se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të afta të presin sërish ngjarjen më të madhe të futbollit botëror.
“Ne duhet ta organizojmë përsëri Kupën e Botës,” u shpreh Trump, duke lënë të kuptohet se SHBA synon të jetë sërish në garë për të fituar të drejtën e organizimit të turneut.
Megjithatë, një rikthim i Botërorit në territorin amerikan nuk mund të ndodhë menjëherë. FIFA tashmë ka caktuar organizatorët e dy edicioneve të ardhshme, me Kupën e Botës 2030 që do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok, ndërsa edicioni i vitit 2034 do të organizohet nga Arabia Saudite.
Kjo do të thotë se mundësia më e hershme që SHBA të organizojë sërish Kupën e Botës është viti 2038, nëse kandidatura e saj pranohet nga FIFA.


Leave a Reply