Policia e Kosovës ka sekuestruar mallra të ndryshme të dyshuara si të kontrabanduara, pas një aksioni të zhvilluar në zonën kufitare të fshatit Korminjan, në rajonin e Gjilanit. Operacioni u realizua në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në kuadër të një plani taktik për parandalimin e kontrabandës në rrugët ilegale malore.
Gjatë kontrolleve, njësitë policore identifikuan dy automjete që dyshohet se kishin hyrë në territorin e Kosovës përmes rrugëve të paligjshme nga Serbia. Pas verifikimeve, u konstatua se mallrat që transportoheshin nuk posedonin dokumentacion për prejardhjen apo procedurat doganore, ndërsa sipas etiketave të produkteve ato rezultonin të ishin me origjinë nga Serbia.

Me urdhër të prokurorit kujdestar në Gjilan, automjetet dhe mallrat janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor, ku do t’i nënshtrohen procedurave të vlerësimit dhe trajtimit të mëtejmë.
Autoritetet kanë nisur procedurat ligjore për rastin, ndërsa hetimet do të vazhdojnë nga njësitë kompetente të Policisë së Kosovës në koordinim me Doganën e Kosovës.
Policia theksoi se mbetet e vendosur në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme në zonat kufitare, me synim mbrojtjen e rendit juridik, ekonomisë së vendit dhe sigurisë së qytetarëve.



Leave a Reply