Dy persona gjobiten me nga 500 euro për djegien e hamulloreve në Klinë

Dy persona janë gjobitur me nga 500 euro pasi u kapën duke djegur hamullore në dy raste të ndara në komunën e Klinës, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Rasti i parë ka ndodhur në fshatin Caravik, ku pronari i tokës pranoi se kishte djegur hamulloret pas korrjes së grurit. Ndërkohë, rasti i dytë u regjistrua në fshatin Dollc, ku një tjetër pronar pranoi se i kishte vënë zjarrin një sipërfaqeje prej rreth 2 deri në 3 hektarësh me qëllim pastrimin e pronës së tij.

Në të dy rastet, njësitë policore dhe zjarrfikësit ndërhynë me kohë, duke lokalizuar dhe shuar flakët. Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, rastet janë evidentuar me shënim zyrtar, ndërsa secilit kundërvajtës i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë aktiviteteve bujqësore, duke paralajmëruar se ndaj çdo shkelësi do të merren masa ligjore.