Tifozët e Gjilanit, përmes grupit “Ultras Skifterat”, kanë bërë një thirrje publike drejtuar institucioneve përkatëse lidhur me ndaljen e punimeve në Stadiumin e Qytetit në Gjilan. Ata kanë kërkuar nga Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, Ministri i Financave, Hekuran Murati, si dhe deputetët e Gjilanit që të dalin publikisht dhe të sqarojnë arsyet e ndërprerjes së punimeve.
Në reagimin e tyre, tifozët kanë kërkuar gjithashtu formimin e menjëhershëm të një komisioni mbikëqyrës, ku do të përfshiheshin përfaqësues të klubeve të qytetit dhe një përfaqësues i tifozëve. Sipas tyre, ky komision do të duhej të monitoronte çdo fazë të punimeve për të garantuar transparencë dhe përfundimin e projektit.
“Ultras Skifterat” kanë theksuar se qytetarët e Gjilanit meritojnë përgjigje të qarta dhe transparencë të plotë për situatën. Ata kanë paralajmëruar se, nëse institucionet nuk japin sqarime dhe nuk ndërmarrin hapa konkretë për vazhdimin e punimeve, do të kërkohet llogaridhënie politike dhe qytetare.
Në fund, tifozët kanë theksuar se Stadiumi i Gjilanit nuk duhet të shihet si projekt i një partie apo qeverie, por si pasuri e qytetit dhe e sportit. Ata kanë bërë thirrje për përgjegjësi, transparencë dhe veprim konkret për vazhdimin dhe përfundimin e projektit.




Leave a Reply